Zhaklin Lekatari, e njohur si opinioniste në spektaklin “Big Brother VIP 2”, ka ndarë një përvojë tronditëse gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”.
Ajo foli hapur për një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, kur gjuhën e urrejtjes virtuale e përjetoi në formën më ekstreme, si dhunë fizike.
Lekatari kujtoi një episod tronditës ku u sulmua fizikisht nga një burrë në zonën e ish-Bllokut, Tiranë. Ngjarja ndodhi pas përfundimit të “Big Brother VIP 2”, gjatë një periudhe kur ajo ishte shënjestër e kritikave të ashpra dhe sulmeve nga publiku.
“Një burrë po më ndiqte dhe më ofendonte vazhdimisht, derisa u përpoq të më sulmonte. Unë vrapova për të shpëtuar dhe, për fat, dy taksistë ndërhynë dhe më ndihmuan. Nuk e denoncova, thjesht u përpoqa të kthehesha e sigurt në shtëpi,” tregoi ajo.
Pas përvojës në reality show, Zhaklina tha se për muaj të tërë ishte e izoluar dhe se kjo situatë ndikoi rëndë në shëndetin e saj mendor dhe fizik, si dhe në jetën e familjes së saj.
“Pas ‘Big Brother-it’, për rreth 4-5 muaj qëndrova thuajse e izoluar. Ishte e pamundur të kisha një jetë normale. Ajo që nisi si urrejtje virtuale, kaloi në dhunë reale,” u shpreh ajo, duke theksuar se kjo periudhë e rëndë i la pasoja të thella.
Me rrëfimin e saj, Zhaklin Lekatari kërkoi të ndërgjegjësojë publikun për rreziqet e dhunës online dhe pasojat që kjo mund të ketë në jetën reale.