Altin Joka: Uji vret! Shtoni pak kripë në gotë, arsyet do ju befasojnë / Ja përse nuk duhet të konsumoni ujë të ftohtë
Në kuadër të emisionit të mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, nën drejtimin e moderatores Androniki Kolka, ishte i pranishëm nutricionisti me banim në Suedi, Altin Joka. Gjatë bisedës, ai u fokusua te rëndësia e hidratimit dhe metodat për të rimineralizuar ujin që konsumojmë. Eksperti i mjekësisë holistike sugjeroi se shtimi i një sasie të vogël kripe në ujin e përditshëm është një praktikë e nevojshme.
Sipas Altin Jokës, proceset industriale të pastrimit dhe përpunimit kanë çuar në humbjen e balancës natyrale të mineraleve në ujë, duke e bërë atë të varfër për organizmin.
Ai shpjegoi se gjatë udhëtimit të ujit nëpër organet e trupit, mungesa e mineraleve shkakton demineralizim të organizmit. Për të shmangur këtë, Joka këshillon hedhjen e një sasie të vogël kripe në gotë qelqi, duke shmangur plastikën, ndërsa përdorimi i enëve prej bakri cilësohet si një zgjedhje mjaft efikase.
Hidratimi i saktë, sipas tij, realizohet kur uji mineralizohet, duke shuar etjen në mënyrë më efektive, ndërsa shtimi i borzilokut, mentes apo rozmarinës e bën atë edhe më të shëndetshëm. Përveç ujit, organizmi përfiton lëngje edhe nga perimet dhe frutat, të cilat përbëhen rreth 85% nga uji. Megjithatë, ai paralajmëroi se tejkalimi i dozave ditore mund të jetë i dëmshëm.
“Sasia e ujit ditore duhet të jetë mbi 2.5 deri në 3.7 litra ujë. Nëse një personi nuk i pihet ujë, së pari duhet të shohë sistemin endokrin, problemet me parazitët, problemet mykotike, problemet e anemisë ose disbalancimin elektrolit. Ndërsa, nëse një person ka shumë etje, atëherë shkak ka: diabetin, sistemin endokrin, apo probleme mineralizimi apo me mykun në gojë” u shpreh Joka.
Ai këshilloi gjithashtu shmangien e akullit, pasi përtej pasigurisë për pastërtinë e ujit të ngrirë, stomaku e ka të vështirë të përballojë temperaturat e ulëta. Për më tepër, uji nuk duhet mbajtur gjatë në shishe plastike gjatë verës, pasi shpërbërja e mikroplastikës ndikon negativisht në cilësinë e tij. Joka nënvizoi se ndryshimet e menjëhershme të temperaturës nga e nxehta në të ftohtë janë të dëmshme, duke theksuar se 15 gradë është temperatura ideale, ndërsa konsumi i ujit shumë të ftohtë shkakton goditje direkte në mëlçi.
Në të njëjtin emision, “Rreze Dielli” në Report TV, nutricionisti Altin Joka vlerësoi kripën jeshile si një prej produkteve më cilësore në botë.
Kjo kripë, e cila buron nga një bimë ujore dhe bregdetare, vlerësohet nga shefat e kuzhinës për shijen umami dhe përmbajtjen e lartë të kripës.
Ai shpjegoi se bima thahet në diell dhe më pas bluhet, duke mbajtur aromën e detit dhe atë të spirulinës. Përbërja e saj përfshin 30% fibra, 20% minerale dhe 8% natrium, duke u pasuruar me vlera si vitamina A, C, B3, kalcium, jod, kalium dhe magnez.
Joka theksoi se kjo kripë është mjaft e shëndetshme pasi mineralet e saj balancojnë natriumin, duke lejuar konsumimin ditor deri në 8-10 gramë, e madje mund të ndihmojë në menaxhimin e tensionit të gjakut. Përdorimi i herëpashershëm i kësaj kripe, sipas tij, ndihmon në ruajtjen e ekuilibrave trupore dhe parandalimin e problemeve shëndetësore të shkaktuara nga disbalancat.

