Bazat teorike të veprimtarisë bibliografike hidhen tanimë me shek. XX. Është shekulli kur mund të flitet për përpunimin e filozofisë së bibliografisë prej një grupi personalitetesh të fushës, por me vizione dhe formim përtej saj.
Përkufizimi më gjerësisht i pranuar i bibliografisë është ai i Sir Walter W. Greg, njërit prej etërve të bibliografisë moderne, i cili e përcakton atë si “studimi i librave si objekte materiale”.
Mendimet e Gregut mbi bibliografinë, natyrën e saj, funksionet dhe metodat me të cilat ajo zbatohet janë me mjaft interes sot e gjithë ditën. I cituar shpesh mbetet sidomos postulati i tij “se ajo për çka bibliografi interesohet janë copat e letrës ose të pergamenës të mbuluara me shenja të caktuara të shkruara ose të shtypura.
Me këto ai lidhet thjesht si shenja arbitrare; kuptimi i tyre nuk është punë e tij”44. Ky përkufizim klasik i bibliografisë, ose së paku i bibliografisë së “pastër”, është në thelb bazë e pretendimit të të qenit shkencore të procedurave bibliografike.