Të gjitha janë diskutime që nxjerrin, në fund të fundit, te raporti i bibliografisë me historinë e librit. E para është shumë e rëndësishme për të dytën, madje të dyja disiplinat, duke ruajtur dallimet thelbësore të njëra-tjetrës, ndërlidhen funksionalisht dhe ndërfuten në kufijtë që i ndajnë/bashkojnë.
Bibliografia dhe metodat e historisë së librit nuk janë në kundërshti, por plotësojnë njëra-tjetrën. Historianët e librit përdorin qasje të ndryshme ndaj objektit të punës së tyre studimore në varësi të qëllimit dhe audiencës së parashikuar.
Si profesionistë, çdokush prej tyre e kupton që edhe në këtë fushë historia duhet bazuar në një varg burimesh themelore: arkiva, dëshmi gojore, gazeta, revista dhe, natyrisht, libra.
Të shpërfillësh librat si e dhënë themelore ose të mos kuptosh rëndësinë e elementeve bibliografike që ata bartin do të thotë të dobësosh bazat e punës shkencore. Në këtë drejtim historiani e ka të domosdoshme të kuptojë koncepte themelore rreth librit: editimi, shtypja, hedhja në qarkullim dhe variantet.