Një bibliografi korrente, si rregull, ndjek ligjin e ekzemplarëve të detyruar (në mjaft vende shfaqja e bibliografive korrente përkon me daljen e këtij ligji), të cilët automatikisht arrijnë në bibliotekën kombëtare ose në institucionin e ngarkuar me hartimin e bibliografisë.
Kështu që problemi i gjetjes së materialit dhe i përcaktimit të lëndës që do të përfshijë bibliografia nuk ekziston.
Ndryshe ngjet me hartimin e një bibliografie retrospektive, e cila nënkupton një kërkim të gjatë dhe të lodhshëm të materialit dhe një studim mjaft të komplikuar për të qartësuar elemente të veçanta bibliografike shpesh të pashënuara në materialin që përshkruhet (probleme të autorësisë, të vendit dhe vitit të botimit, të botuesit etj.).
Është i njohur fakti që hartimi i bibliografive korrente është detyrë e institucioneve të specializuara të ngritura për këtë qëllim ose e departamenteve të specializuara në institucionet ekzistuese, kryesisht bibliotekat kombëtare.