Gjyshi i 3-vjeçarit që vdiq tre ditë pasi mori mjekim nga një dentist në klinikën e tij private në Tiranë, ka dhënë një deklaratë ekskluzive për Top Channel, ku tregon se e çuan tek dentisti vetëm për të pastruar dhëmbët, por pas konsultës, mjeku dhe vajza e tij i sugjeruan operacion dhe prindërit e tij pranuan.
Sipas deklaratës së gjyshit, pasi i bënë një anestezi totale, djali qëndroi 9 orë në operacion.
“E çuam për të pastruar dhembet. Bëmë konsulte me mjekun dhe vajzën e tij, ku na sugjeruan operacionin dhe ne pranuam. Djalit i bënë anestezi totale dhe e futën në operacion, ku qëndroi 9 orë.
Mjeku na tha se gjithçka shkoi mirë. Na i dha në gjendje gjumi dhe na tha se do zgjohet pas gjysmë orë. Shkuam në shtëpi dhe pas 1 orë fëmijës i hipi temperatura dhe u zverdh. Mjeku nuk hapi telefonin me. E çuam te Pediatria ku direkt e futen në intubim dhe i çanë mëlçinë sepse i kishte dalë jashtë funksionit. Pas 3 ditësh vdiq. Shteti të marrë në dorë situatën. Të vendosë drejtësi sepse në të kundërt do e marrim ne hakun e djalit”, shprehet gjyshi i 3-vjeçarit.
Ndërsa babai i fëmijës 3 vjeçar, Guri Spahiu ka deklaruar në polici se para tre ditësh ka çuar për mjekim djalin, në një klinikë dentare private në rrugën e Kavajës dhe mjeku dentist, Roland Xhaxho i ka bërë anestezi totale për të kryer ndërhyrjen për rregullimin e dhëmbëve.
Pasi ka përfunduar ndërhyrjen, mjeku dentist i ka kërkuar që djalin ta marrë nga klinika dhe ta çojë në banesë, duke i rekomanduar edhe mjekimin që duhet të merrte. Pasi kanë shkuar në banesë fëmija ka filluar të ndihet keq. Prindërit e shqetësuar kanë marrë kliniken private në telefon por nuk i është përgjigjur njeri. Duke parë gjendjen e fëmijës që po përkeqësohej ata e kanë çuar në spitalin pediatrik, te cilët duke parë gjendjen jo të mirë të fëmijës e kanë dërguar në reanimacion. Me gjithë përpjekjet e mjekëve që ta kthejnë në jete për dy ditë rresht fëmija ka ndërruar jetë në spital.
Prindërit thonë se djali ka rënë në gjendje kome pas anestezisë. Por priten rezultatet e ekspertizës mjeko ligjore të autopsisë, për të vërtetuar shkakun e ndarjes nga jeta të fëmijës 3 vjeçar të familjes Spahiu.