I mori jetën gruas së tij 25 vjecare shtatëzënë, zbardhen detaje të rënda për 26 vjecarin
Në fshatin Kërvasari të komunës së Malishevës ka ndodhur një tragjedi e vërtetë, ku një grua 25-vjeçare, e cila ishte në pritje të ëmbël, ka humbur jetën nga plumbat e armës së zjarrit, me të cilën dyshohet se e ka qëlluar bashkëshorti i saj.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës dhe opinionin publik. Në ambientet e dhomës së gjumit të banesës së familjes Bytyçi, Egzon Bytyqi 26-vjeçar, dyshohet se ka shkrepur armën duke e goditur në kokë bashkëshorten e tij, Jetlira Foniqin, e cila ndodhej në javën e 34-t të shtatzënisë.
Pas këtij akti, 26-vjeçari dyshohet se ka drejtuar armën nga vetja, duke qëlluar gjithashtu në kokë.
Alarmi është dhënë nga babai i të dyshuarit, i cili ka lajmëruar menjëherë autoritetet policore. Në vendin e krimit kanë mbërritur grupet hetimore, të cilat kanë bërë të mundur sekuestrimin e armës së përdorur si provë materiale.
Për transportimin e shpejtë të të plagosurve drejt Qendrës Emergjente në QKUK janë mobilizuar tri ekipe mjekësore nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare.
Ndonëse mjekët bënë përpjekje maksimale për ta shpëtuar, Jetlira Foniqi nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë rreth orës 01:10 pas mesnate.
Për sa i përket gjendjes së të dyshuarit, ajo vijon të mbetet mjaft kritike. Për shkak të natyrës së plagës, ku plumbi ka hyrë dhe ka dalë nga koka, kirurgët nuk kanë mundur të ndërhyjnë dhe ai vazhdon të qëndrojë nën mbikëqyrje intensive mjekësore, i intubuar në Emergjencë.
Bazuar në të dhënat e siguruara deri tani, 26-vjeçari kishte jetuar rreth shtatë vite në territorin gjerman. Martesa e tij me Jetlirën kishte ndodhur para një viti e gjysmë, periudhë gjatë së cilës e reja ndante jetën mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Hetimet e para hedhin dyshime mbi mundësinë e konflikteve të fundit mes çiftit, ndërkohë që familjarët e viktimës kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për ndonjë problematikë midis tyre.
Lidhur me zërat se autori mund të kishte çrregullime mendore, Policia ka sqaruar se deri në këto momente, një supozim i tillë mbetet i pavërtetuar.
Jetlira Foniqi është përcjellë për në banesën e fundit gjatë pasdites së sotme, në fshatin e saj të lindjes, Llozicë.
Autoritetet vijojnë punën hetimore për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.

