Luiz Ejlli aktualisht po shijon suksesin e filmit të tij “Në Kuadër të Dashurisë”. Së bashku me kastin e aktorëve, ai po udhëton nëpër Shqipëri dhe jo vetëm, për të prezantuar premierën. Natyrisht që interesi më i madh për të kanë qenë pyetjet rreth bashkëjetesës me Kiarën, por edhe dinamikave të ndryshme.
Këtë herë, fituesi i “Big Brother”, ka vendosur që t’i thotë të gjitha, duke përfshirë edhe hatërmbetjet. Gjatë një interviste të zhvilluar së fundmi nga mediat, një ndër gazetarët e ka pyetur Luizin nëse janë të vërteta lajmet që po qarkullojnë në lidhje me Arbanën, ndërsa këngëtari duke mos zbuluar shumë detaje tregoi se mes tij dhe moderatores ka një krisje.
“Ajo është atje, unë këtu. Ka krisje mes meje dhe Arbana Osmanit, por në maj do të zbuloj më shumë sepse nuk më lejohet”, tha Luizi.
Kujtojmë se me nisjen e sezonit të ri televiziv, lindën dhe zërat se mes Luizit dhe Arbanës dhe regjizorit Eduart Grishaj mund të kishet një përplasje. Ndërsa, Kiara Titos iu besua një format përmbledhës për “Dancing With the Stars”, nga ana tjetër edhe Luizi, që mbetet ndër emrat më të pëlqyera, ka pasur ambicie që të kishte një karrierë televizive, këtë herë jo vetëm si këngëtar.
Në rrjet prej kohësh është përfolur se ai do të ishte opinionist në “Big Brother VIP 3”. Zërat u shtuan pasi vetë Arbër Hajdari konfirmoi se vitin e ardhshëm nuk do të ulej në poltronën e opinionistit. Megjithatë, një vendim i tillë duket i vështirë. Në rrjet është përfolur se Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj ishin kundër pjesëmarrjes së Luizit në këtë format. Dhe ka qenë pikërisht ky fakt “molla e sherrit” mes fituesit të “Big Brother” dhe çiftit të famshëm.
Luizi i largoi nga Instagrami, bashkë me disa ish-banorë të tjerë, duke sjellë kështu mbylljen përfundimtare të marrëdhënieve mes tyre. Natyrisht që Luizi nuk mund të mos pyetej edhe rreth një shtatëzanie të Kiarës. Përgjigje, me të cilën Luizi u përpoq të bënte edhe më shumë konfuz ndjekësit. Pyetjet nëse partnerja e tij është shtatëzënë, ai i është përgjigjur “S’e di”.
“Do bëhemi prindër, kur të lindë Kiara, kur ta ketë shkruar ai lart. Nuk ka rëndësi vajzë apo djalë, vetëm të jetë shëndoshë e mirë. Motra ime ka tre vajza, ndërsa unë çfarë të jetë”, u shpreh ai, duke u treguar i kujdesshëm që mos të zbulojë shumë detaje.
Kiara Tito prej kohësh flitet se është në pritje të ëmbël. Lajmet kanë shkaktuar shumë zhurmë në rrjet megjithatë ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga ana e tyre. Moderatorja gjatë prezantimit të “DWTS Fan Club” ka ngritur dyshimet akoma më shumë me deklaratën e saj.
“Përpara se të nis programin nëse jeni duke na ndjekur me ndonjë pjatë të shijshme përpara mos na bëni tag në Instagram se na vjen nepsi ne këtu”.
Kjo deklaratë është interpretuar si një konfirmim indirekt nga ana e Kiarës. Gjatë kësaj periudhe, moderatoren e shikojmë të veshur me rroba të gjera që nuk e bëjnë të dukshëm pjesën e barkut të saj. Në intervistën e tij, më tej Luizi ka folur edhe për Olta Gixharin, apo për vështirësitë që kërkonte realizimi i filmit.
“Kemi punuar jemi lodhur, por duke marrë parasysh ‘feadback’-un që po e marrim mbrapsht i bie që ia kemi arritur qëllimit. Skena më e vështirë për mua kanë qenë të gjitha të vështira sepse nuk jam, të gënjej kot, të gjitha ishin të vështira se duhej të mbaja një përqendrim me tekstin dhe të interpretoja, por kjo vështirësia e ka bërë më të bukur dhe më interesante, të gjitha janë të vështira se kam qëndruar duke vrapuar nëntë herë aty dhe u dobësova”, tha Luizi.
Teksa u pyet për bashkëpunimin me rivalen e tij më të madhe në “BBV”, këngëtari u shpreh se: “Kushdo që të kishte qenë e kisha bërë, është thjesht punë, aktrim”.
Vihet re se në deklaratat e tij, Luizi pak ka zgjedhur ta përmend Oltën, duke preferuar ta kalojë në heshte. Ashtu si shpesh kemi raportuar dyshja ka shkëputur çdo kontakt mes tyre. Kemi folur shpesh për marrëdhënien e tensionuar të Luizit dhe Oltës, ndonëse në këtë film luanin rolin e dy të dashuruarve.
Ndonëse gjithnjë e kanë përshkruar marrëdhënien në punë si të mirë, duket se tensionet mes tyre nuk kanë munguar. Madje, edhe natën e premierës, tensionet kanë qenë të dukshme.
Ndonëse protagonistë të filmit, dyshja nuk u fotografua asnjëherë së bashku, madje dhe në skenë, sapo përfunduan përshëndetjen, u larguan menjëherë. Por, duket se ironitë kanë vijuar edhe në “backstage”, ku siç shihet, mes aktorëve të tjerë, Olta dhe Luizi kanë zgjedhur as mos ta vështrojnë njëri-tjetrin në sy. Megjithatë, disa batuta mes tyre janë bërë, ndonëse me palët e treta. Duket se raporti mes të dyve, tashmë është i mbyllur përfundimisht.
Një tension i tillë u vu re edhe në natën e parë të “Dancing with the Stars”, ku teksa ishin në skenë, u vu re “indiferenca” e Luizit dhe Oltës, teksa u pyetën për eksperiencën e tyre në film. Luizi fillimisht nuk dha asnjë koment, ndërsa ishte Olta ajo që “theu akullin”, duke komentuar vijën melodike. Ka qenë pikërisht aktorja, që shpesh ka folur për Luizin, duke treguar edhe detaje nga xhirimet e filmit. “Mua më shijoi në film ai. Ishte shumë organik. Ishte ai, ka luajtur veten. Dhe shumë mirë, sepse ndonjëherë kur sforcohesh të bësh gjëra të mëdha, gabon.
Edhe skenat që kishim bashkë, më shijuan shumë. Ishin shumë momente të virgjëra, shumë të lezetshme”. E pyetur për puthjet në film mes saj dhe Luizit ajo u shpreh: “Nuk e di, nuk më kujtohet fare. Puthjet në film janë shumë teknike, prandaj duhet të shikoni dokumentarin të kuptoni sa teknike janë. Pastaj, ‘baby kiss’ kemi bërë ne, nuk ishte puthje kush e di se çfarë”, u përgjigj ajo.
“Kemi qenë bashkëpunues shumë të mirë, të dy donim që filmi të dilte mirë. Në zemrën time nuk ka urrejtje. Unë jam tip që nuk mbaj inat. 5 minuta e kam dhe pastaj të përqafoj. S’kam kohë ta urrej, s’e takoj, s’kam as motiv ta takoj. Mua Luizi më shijoji në film”.
Por, duket se ky bashkëpunim do të jetë i fundit mes tyre, duke qenë se Olta dhe Luizi vështirë se do të mund t’i shohim më bashkë.