Kanë kaluar më shumë se 80 ditë që nga nisja e edicionit të dytë të “Big Brother” dhe duket se tashmë, ndjekësit janë pozicionuar si fansa në krah të personazheve të lojës. Lehtësisht e kuptueshme është mbështetja masive që Luiz Ejlli ka brenda lojës, i cili duket se ia ka dal që të fitojë zemrën e shqiptarëve. Ai nuk gjeti vetëm shumë fansa, por edhe dashurinë.
Historia e tij e dashurisë me Kiarën, është padyshim një nga raportet më të ndjekura, por duket se jo gjithçka është kaq romantike sa duket. Vetëm pak javë më parë, “Panorama” shkroi për raportin që këngëtari shkodran kishte lënë jashtë shtëpisë, pak javë se të bëhej pjesë e lojës. Ndonëse lidhja që Luizi kishte lënë jashtë nuk ishte diçka serioze, miqtë e afërt kanë zbuluar se e kanë shoqëruar shpesh çiftin në tavolina të ndryshme.
Jurgena sipas personave që e njohin nga afër, është edhe ish-partnerja e Luizit, që prej disa kohësh frekuentonin së bashku. Para futjes në lojë, këngëtari i ka besuar edhe menaxhimin e tij në rrjetet sociale, por natyrisht pa e ditur se kjo eksperiencë do t’i jepte shumë famë, por edhe një dashuri, çfarë nënkupton edhe ndarjen nga ajo. Por teksa historia me Kiarën është në ditët më të arta, me plane bashkëjetesë e fëmijësh, historia e tij ka dalë edhe njëherë në sipërfaqe. Bëhet fjalë për Jurgenën, vajzën e famshme që vetë artisti e ka përmendur në lojën e “Big Brother”.
Ai ka thënë se është një vajzë me emrin Jurgena që i menaxhon “Instagram”-in dhe nga ana tjetër gjatë lojës me pyetje ai është përgjigjur se ish e dashura e tij e fundit quhet Gena. Dy miqtë e tij më të mirë, Mario Deda dhe Joni Ndoja të ftuar në “Fun Club” thanë se ata nuk e njohin ish të dashurën e tij, ndërsa kanë pasur kontakt me Jurgenën që i menaxhon “Instagram”- in, shkruan Panorama.
“Jurgena është shoqja e Luizit që i mban ‘Instagram’-in. Unë kam kontaktuar me të. Genën unë nuk e njoh”, kanë thënë miqtë e këngëtarit, duke mos dashur të japin më shumë detaje rreth kësaj historie. E duket se teksa mediat po “shpërthejnë” nga lajmi i historisë së Jurgenës me Luizin, vajza në fjalë që i menaxhon “Instagram”-in, ka zgjedhur të qëndrojë në heshtje.
Duke mos folur publikisht as në llogarinë e Luiz Ejllit në lidhje me këto spekulime. Faqja e këngëtarit, është ndër më aktive, duke publikuar shpesh postime dhe “story”, kryesisht rreth rrugëtimit të tij brenda lojës. Ajo që të gjithëve na bie në sy është fakti që rrallë faqja e tij ka postime me Kiarën.
Edhe kur dinamikat në shtëpinë e “Big Brother” kanë përfshirë çiftin, si në debate, ashtu edhe episode romantike, faqja që menaxhohet nga Jurgena nuk i ka pasqyruar në adresën e tij. Krejt ndryshe nga adresa e Kiarës, që shpeshherë publikon foto me Luizin dhe dedikime romantike për të. Vetë këngëtari ka folur disa herë për këtë raport, por në mënyrë shumë sporadike, duke mos e cilësuar lidhjen e tij si diçka serioze.
Në lojën e organizuar me meshkujt e shtëpisë, ai u pyet se kur kishte marredhenie për herë të fundit. Këngëtari u përgjigj shkurtimisht se 3 ditë para se të hynte në shtëpinë e “Big Brother”. Megjithatë, ai nuk preferoi të fliste më shumë në lidhje me detajet e kësaj eksperience. Më tej, ai ka treguar që nuk ka qenë asnjëherë i fejuar.
Ai ka theksuar problemin e keqinformimit dhe fokusimit të mediave te lajmet jo të duhura, problem ky për artistët që e kanë të ekspozuar jetën private, por edhe për publikun që i serviren lajme të tilla. “Mua më kanë bërë të fejum e të martum e me fëmijë e me gjithësend, por mirë i them unë vazhdo”. Gjerësisht në media është folur për lidhjen e tij me Megi Topallin. Çifti që kaloi shumë vite bashkë i dhanë fund këtij raporti pa shumë bujë.
Vetë Luizi e ka përmendur në shtëpinë e “Big Brother”, duke thënë se nuk do të donte të flitej për të brenda, duke qenë se tashmë ajo ka jetën dhe familjen e saj. Megi nuk foli për ndarjen e bujshme, ndërsa Luizi pranoi të fliste për herë të parë në emisionin “Pasdite në Top Channel”, duke e përshkruar atë që kishte ndodhur për disa vite me Megin, si një flluskë sapuni.
Luizi tha se nuk kanë qenë të fejuar, por “ishte thjesht një lidhje”, e cila ishte e destinuar të përfundonte: “E di si ishte? Si një flluskë sapuni, e cila vjen e fryhet, ngrihet lart, fillon merr ngjyrat e bukura, bëhet një mrekulli atje dhe pastaj shpohet”. I pyetur për arsyet, këngëtari tha se tashmë ato nuk i interesojnë askujt:
“Kam pasur dhe do të kem gjithmonë respekt, si për të, ashtu edhe për familjen e saj e për gjithçka. Nuk janë pak ato vite që kemi kaluar, nga unë do kenë mirënjohje gjithmonë”. Por, për Jurgenën, ai ka preferuar t’i referohet si një mikeshë që i ka besuar “Instagram”-in, duke qenë se vetë nuk ishte marrë kurrë. Nga ana tjetër, miqtë e afërt të këngëtarit, pak dinë në lidhje me këtë histori, duke qenë se lidhja e tyre ka qenë e re dhe konsumohej gati “fshehurazi” syve të tyre.