Por gjithsesi, si në të gjitha bibliografitë, më shumë rëndësi i është kushtuar përshkrimit fizik të ekzemplarëve sesa përcaktimit të rolit të teksteve në historinë intelektuale.
Si bibliografi kryesisht e karakterit deskriptiv, edhe këtu detyrë kryesore ka qenë regjistrimi i të gjithë informacionit bibliografik përkatës, pra shqyrtimi i hollësishëm i natyrës bibliografike të librit në një formë të paracaktuar.
Ky karakter deskriptiv, disa herë i “ekzagjeruar”, ka çuar në një vëmendje gati pedante sidomos ndaj detajeve të ekzemplarit themelor ose përfundimtar të librit, i cili në terminologjinë bibliografike, siç është thënë më lart, thirret ekzemplar ideal.