Për të gjithë ishte një surprizë kur Jonida Vokshi njoftoi se do të ishet bashkëprezantuse e “Big Brother Kosova”, një surprizë e bukur sigurisht, për të cilën moderatorja ka rrëfyer më shumë sot në një intervistë në “Ditë pas Dite” në RTSH. Kështu, Vokshi ka treguar se si e ka marrë ftesën për të qenë pjesë e projektit që realizohet në fakt për herë të parë në Kosovë:
“Më erdhi fillimisht një mesazh nga Liberta dhe më pas më kontaktuan drejtuesit e Klan Kosova. Në fillim mendova se do të më kërkonin si banore dhe mendova çfarë do t’i thoja, por jo ftesa ishte për prezantuese.”
Interesant është fakti që Jonida e ka menduar përgjigjen që do të jepte, kur mendoi se do t’i propozonin të ishte banore, pra mund edhe ta kishim parë si banore. Megjithatë, për të vazhduar me rrëfimin e saj, moderatorja u shpreh shumë e lumtur për këtë eksperiencë, duke ndarë disa detaje nga puna që po bëhet tani:
“Ne i ndajmë idetë së bashku, do të jenë fillimisht 14 konkurrentë që do të marrin pjesë dhe do të shtohen me kalimin e javëve. Shtëpia është ndërtuar nga fillimi dhe kemi mbyllur në 70% kastin që do të startojë programin”.
Ndërkohë për bashkëpunëtorët e saj, Alaudin Hamitin që do ta ketë në krah në prezantim dhe opininistin e programit, Olti Currin, Vokshi tha:
“ Me Alaudinin kam drejtuar më parë edhe çmimet Oscars dhe kemi kimi bashkë, ndërsa kur mësova që opinionist do të ishte Olti Curri u lumturova pa masë, sepse unë mendoj që është i vetmi që e bën këtë program.”
Patjetër Jonida u pyet edhe për mikeshën e saj, Elvana Gjatën, e shumëpërfolur për pjesëmarrjen e mundshme në reality show. Në lidhje me të, aktorja tha (me shaka): “Elvana do të hyjë patjetër, tre muaj përpara se ne të nisim dhe kur të nisim ne ajo do të dalë nga shtëpia”.
Nga ana tjetër Vokshi zbuloi se do donte ta shihte bashkëshortin e saj, producentin Besnik Krapi, brenda shtëpisë së Big Brother, për të vetmen arsye sepse do të bëhej shumë xheloze në këtë periudhë, kur ai të kalonte më shumë kohë me vajzën e tyre, Emin.