“Për’puthen” është ndër formatet që më së shumti ndiqet nga publiku. Bora Zemani shënjoi një tjetër pikë të karrierës së saj, ku përgjatë dy viteve moderoi emisionin dedikuar dashurisë.
Por gjasat janë që ky rrugëtim i saj mund të përfundojë. Tashmë që sezoni televiziv është në mbyllje, në Top Media po përflitet për ndryshime të mëdha, që do të prekin edhe moderatoren e njohur. Kështu, sezoni i ardhshëm do të rikthejë një format të dashur për shqiptarët. “Dancing with the Stars”, pritet të nisë vitin e ardhshëm dhe nga diskutimet e deri më tanishme, spektakli do ti besohet Bora Zemanit. Por kjo do të thotë që një tjetër kolege e saj do të rrëmbejë ‘Për’puthen’, që në vitin e ardhshëm do të ketë ndryshime të mëdha.
Ndërkohë “Dancing with the Stars” do të ketë si kryetar jurie Ilir Shaqirin dhe tashmë stafi ka nisur përzgjedhjen e VIP-ave që pritet të marrin pjesë përgjatë spektaklit.
Ndërkohë janë disa emra që po lakohen për “Për’puthen”, ku ndër to spikat ai i moderatores Dojna Mema, e cila aktualisht është në pritje të ëmbël. Megjithatë deri në shtator, të tjera lëvizje do të ketë në televizion, duke e kristalizuar më shumë situatën për sezonin e ri që na pret.