Prej disa ditësh emri i reperit të njohur Mozzik ka qenë në qendër të vëmendjes pas ndalimit të tij në Doganën e Kosovës, ku iu sekuestruan dy orë luksoze, një “Richard Mille” dhe një “Rolex”, me vlerë të deklaruar mbi 1.3 milionë euro.
Lajmi mori përmasa edhe më të mëdha kur kompania zvicerane Richard Mille, përmes përfaqësuesve ligjorë, deklaroi se ora e ndaluar nuk ishte origjinale, duke e cilësuar atë si false.
Kjo situatë solli menjëherë reagime të shumta në rrjetet sociale, mes tyre edhe nga rivali i Mozzik, reperi Noizy, i cili publikoi thumba të kuptueshme ndaj tij, me një prej statuseve të tij që thoshte thjesht: “S’di ka t’ja nis”.
Pas gjithë këtyre publikimeve, Mozzik reagoi ashpër përmes një shkrimi në rrjete sociale, ku akuzoi disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje se prej kohësh kanë pasur çështje personale me të.
Ai i cilësoi ngjarjet e fundit si një “lojë me skenar”, duke theksuar se nuk ka fituar para as nga droga e as nga hajnia, por vetëm nga talenti i tij.
Sipas tij, me një orë fallco nuk mund të tatimohet me “mijëra e mijëra euro” dhe sfidoi autoritetet që ishin në detyrë atë natë të tregojnë hapur se gjithçka ishte sulm politik.
“Unë i kam vetëm 29 vjet, por gjithmonë kam qenë një hap para jush. Më lini rahat, se tash ju nxora ashiqare”, shkruante ndër të tjera ai në reagimin e tij.
Në reagimet e tij nuk mungoi as një kundërpërgjigje ndaj thumbave të reperit Noizy.






