Brutaliteti me të cilin ushtrohej dhunë ndaj një të moshuare kosovare në Shtëpinë për të Moshuar “Orenda” ku ajo ishte dërguar për përkujdesje, alarmoi shoqërinë tonë.
Infermierja Aurona Pelaj, e cila shihet duke goditur në mënyrë të pamëshirshme të moshuarën që ishte shtrirë në këtë qendër, ndërkohë që tri infermiere të tjera e suportonin duke qeshur, është bërë lajm edhe në mediat nëpër botë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Për këtë rast ka shkruar edhe tabloidi britanik “Daily Mail”. “Momenti tronditës një grua e moshuar në shtëpinë e kujdesit në Kosovë goditet vazhdimisht nga infermierja”, është titulli me të cilin e nis Daily Mail raportimin për këtë ngjarje.
“Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, punëtorja në rezidencën e të moshuarve Orenda, në Pejë, mban gruan nga duart dhe e godet disa herë me shuplakë.
Në video shihen edhe dy gra të tjera dhe një tjetër që po e filmon – e cila dëgjohet duke qeshur me të madhe teksa kolegia saj sulmon gruan e moshuar”, raporton Daily Mail për ngjarjen në Kosovë, duke bashkëngjutur edhe videon.
Tri infermiere janë arrestuar tashmë për këtë rast, dhe ndaj tyre pritet caktimi i masës së paraburgimit.