Moderatorja Bora Zemani dhe aktori i njohur Donaldi vijojnë të jenë kryefjala e mediave në vend.
Dy ish-partnerët, mesa duket, janë duke gjetur sërish urat e komunikimit për të vijuar marrëdhënien e tyre aty ku e lanë, para se aktori të bëhej pjesë e “Big Brother”. Ditët e fundit, në rrjet kanë qarkulluar detaje të reja, çfarë të bën të mendosh se shumë shpejt kjo dyshe do të rikthehet së bashku.
Një foto e makinës së Donaldit poshtë shtëpisë së Borës ka ndezur zërat për një rikthim të tyrin. Por kur mendohej se gjithçka do të mbetej me kaq, të tjera fakte vijnë nga dy personazhet. Së fundmi, Olti Curri ka publikuar në “Instagram” një fotografi me pamje nga Vjena, dhe krah saj, ka shkruar: “Po lexoj që Sabiani me Ilirin janë në Vjenë”.
Ndërkohë një ndjekës menjëherë i është përgjigjur se: “Në sistemin Tims, Donaldi është nisur dje në orën 4:30, Bora 14:30”. Fansat po shpresojnë një takim të dytë tanimë jashtë Shqipërisë, nisur edhe nga fakti se Bora ka hedhur story duke e treguar hapur se ndodhet në Vjenë dhe Donaldi, në anën tjetër, ka shpërndarë në story club-in ku do të performojë dhe është në Laussanë të Zvicrës.
Donaldi dhe Bora janë pajtuar! Burimet bëjnë të ditur se ata janë parë së bashku në Vjenë të Austrisë këto ditë. Vetë moderatorja ka publikuar një foto me mikeshën e saj, që duket se është edhe mikeshë e binjakëve. Është pikërisht mikesha e të dyve që ka qenë iniciatorja e këtij takimi, duke pasur mundësinë të shpjegohen larg syrit të publikut.
Akoma më shumë i ka shtuar dyshimet mungesa e Borës në “Për’Puthen”. Donaldi ka postuar fotografi nga aeroporti duke mos treguar vendndodhjen, ndërsa moderatorja ka bërë të kundërtën. Mesa duket, miqtë dhe të afërmit kanë një rol të rëndësishëm në ribashkimin e tyre.
Kanë qenë pikërisht ata që kanë mundësuar një takim të dy të rinjve, duke ndikuar tek ata për t’i dhënë një mundësi tjetër njëri-tjetrit. Jashtë kësaj teme nuk kanë qëndruar as familjarët. Së fundmi, mamaja e vëllezërve Veshaj ka hapur një profil personal në rrjetin social “Instagram” dhe, nga një vëzhgim i shpejtë, ajo që na bie në sy është fakti se moderatorja dhe mamaja e Donaldit ndiqen në “Instagram”.
Kjo është mjaft e çuditshme, pasi teksa ‘i gjithë rrjeti zien’ nga një bashkim i mundshëm i moderatores, ajo në heshtje nuk ka reaguar, por familjarët e tij janë në rrjetet e saj sociale. Kjo është një tjetër shenjë që tregon se marrëdhënia mes çiftit është rikuperuar dhe se ata mund të jenë ribashkuar.
Kujtojmë se kur Donaldi ishte pjesë e “Big Brother”, e ëma e këshilloi që të ndiqte zemrën dhe të bënte atë që ndjente. Duke iu referuar lidhjes me Beatrix, mamaja u pozicionua menjëherë në krah të partneres së re të djalit të saj. Të njëjtën gjë bëri edhe i vëllai, kur ishte pjesë e “Big Brother”, duke i përsëritur disa herë të bënte atë çfarë i ndiente zemra dhe të rrinte i qetë për gjithçka.
Por duket se jashtë gjithçka ka ndryshuar shpejt dhe Donaldi i ka kërkuar një tjetër mundësi Borës, duke angazhuar edhe të afërmit e miqtë që të ndikojnë te vendimi i saj. Po kështu, vëllai i Borës vijon të jetë mik i ngushtë i të dy vëllezërve, duke treguar hapur mbështetjen ndaj tyre, ndonëse ishte pikërisht miku i tij që i “tradhtoi” motrën brenda shtëpisë së “Big Brother”.
Miqësia që ai ka me Donaldin dhe Romeon duket se ka ndikuar edhe tek e motra, çka ka sjellë disa takime të fshehura mes dy ish-partnerëve, që po shkojnë drejt një ribashkimi. Rikujtojmë gjithashtu se pas daljes nga shtëpia e “BBV”, Donaldi shkëputi çdo marrëdhënie të krijuar me Beatrix Ramosajn brenda këtij formati dhe ata kurrë nuk janë parë në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Ishte Trixa ajo që ka lajmëruar ndarjen e tyre e para, përmes një statusi në “Instastory”, ku shkruante: “Jo histori false”. Sakaq, aktori kurrë nuk ka dhënë asnjë intervistë pas daljes nga “BBV”, por është fokusuar i gjithi në karrierën e tij muzikore, pasi është një nga emrat më të kërkuara në club-et e natës së bashku me Elgid Dodën dhe Romeo Veshajn.
Këngëtarja Beatrix Ramosaj dhe aktori Donald Veshaj arritën të shijonin romancën e tyre të dashurisë vetëm brenda mureve të shtëpisë së “Big Brother Vip”. Këngëtarja shpesh ka bërë postime në rrjetet sociale, të cilat janë marrë si thumba drejt Donaldit. Së fundi, ka publikuar disa foto në rrjetet sociale ku shkruan: “Meritoj më shumë, se zemra gabon po dikur e gjej dikë që ndoshta mua më do më shumë se ti”.
Pas këtij mbishkrimi, menjëherë në rrjet kanë shpërthyer komentet, pasi ndjekësit mendojnë se ky është një dedikim për Donaldin. Në fakt duket se Trixa do të sjellë një tjetër projekt muzikor dhe ndoshta këto janë disa nga vargjet e këngës. Ajo që ngre dyshime është që kënga mund të jetë bashkëpunim me këngëtaren Dafina Zeqirin dhe kjo vjen nga komentet e kësaj të fundit në postimin e Beatrix.
Nga ana tjetër, Donaldi, që nga dalja e tij nga “Big Brother”, nuk ka ngurruar të këndojë këngën e dedikuar Borës. Që në festën e organizuar nga “Top Channel”, aktori u ngjit në skenë dhe i emocionuar këndoi këngën që i kishte dedikuar ish-partneres së tij.
Që nga ajo ditë, sa herë që ai është prezent në një koncert, publiku nuk ndalon së ngacmuari, duke thirrur në kor emrin e prezantueses dhe reagimi i Donaldit me një buzëqeshje lë shumë për të kuptuar rreth shpresave që ai ka pasur për rikthimin tek ajo që ai e ka quar dashuria e tij më e madhe.