Shqiptari i Kosovës, Faton Hajrizi është ekzekutuar dje nga Policia e Serbisë në vendin e quajtur Banja Kovilaça, pasi tre ditë më parë vrau një polic serb dhe plagosi kolegun e tij.
Ivica Daçiç, ministër i Punëve të Brendshme i Serbisë është shprehur se shqiptari i Kosovës fshihej pranë lumit Drina për të gjetur një mënyrë që të kalonte nga territori serb, në atë të Bosnje-Hercegovinës.
Ndërkohë, në komunën (bashkinë) ku ai jetonte ishte planifikuar të zhvillohej një koncert festiv për të ashtuquajturën “Dita e Mërgatës”, në shenjë mikpritje për të gjithë mërgimtarët që gjatë verës kthehen pranë familjeve të tyre.
Dje, në këtë koncert ishte ftuar dhe këngëtari shqiptar Luiz Ejlli, por siç duket ngjarja e trishtë ka bërë që gjithë koncerti të anulohet, shkruan newsbomb.al. Lajmin e ka konfirmuar vetë kryetari i Komunës së Skënderaj, Fadil Nura.
“Për shkak të ngjarjes së sotme të vrasjes në Serbi të bashkëqytetarit tonë, Faton Hajrizi, dhe në shenjë të respektit ndaj familjes së tij të ngushtë, veçanarisht ndaj prindërve, mbrëmja e sontme muzikore në kuadër të muajit “Ditët e Mërgatës” anulohet plotësisht.
Pa gjykuar as edhe një fragment të jetës së tij, Fatoni ka qenë një qytetar i komunës sonë. Aktivitetet e parapara për bashkatdhetarë do të vazhdojnë nga dita e nesërme”, ka shkruar kryetari i Skënderaj, një vendim që është mirëpritur dhe nga banorët atje.