Ato pasqyrojnë përpjekjet krijuese të një populli, bartës i një kulture kombëtare të veçantë, në fusha të ndryshme si letërsi, mendim shoqëror dhe politik, shkencë etj. dhe, së këtejmi, progresin shpirtëror të shprehur në mënyrën e vet në fjalën e shtypur.
Njëherazi, këto bibliografi janë burim i pazëvendësueshëm informacioni dhe njohurie për të gjitha fushat e veprimtarisë krijuese të njeriut.
Pikërisht ky fakt provon atë që rëndom pohohet në teorinë e përpunimit të informacionit bibliografik: që bibliografia në thelb është jo vetëm një formë dokumentacioni që depoziton dëshmitë e shkruara të ngjarjeve dhe zhvillimeve që kanë ndodhur, por edhe një instrument efektiv për përdoruesit e saj në përvijimet e zhvillimeve të ardhshme: sociale, letrare, kulturore, shkencore etj.
Jeta me zhvillimet e saj provon dita-ditës rëndësinë e shifrave dhe të dhënave statistikore në të gjitha fushat e studimeve dhe të kërkimit shkencor.